Lajmet në gjuhën shqipe 21/01/2015

---Kryeson me 5,2% SYRIZA sipas një sondazhi të kompanisë ALCO që botohet të enjten në gazetën Pondiki.
Në qëllimin e votimit, SYRIZA grumbullon 32%, pason Demokracia e re me 27,1%, Potami me 5,6%, Agimi i Artë me 4,6%, Partia Komuniste ΚΚΕ me 4,1%, PASOK-u me 4%, Grekët e Pavarur me 3% dhe Lëvizja e Socialistëve Demokratë 2%.

---Kryetari i Grekëve të Pavarur, Pános Kamménos në konferencën për shtyp që ka dhënë sot shprehu bindjen se Grekët e Pavarur do të jenë në parlamentin e ardhshëm dhe u bëri thirrje votuesve që të zgjedhin nëse ata duan një «qeveri arrogante të SYRIZA» të vetëfuqishme ose «një qeveri SYRIZA me Grekët e Pavarur, me linjat e kuqe për çështjet kombëtare si çështja e Maqedonisë dhe e Thrakës». 
Kryetari i Grekëve të Pavarur ka dhënë një intervistë në emisionin e Giórgo Filippáki për programin e parë të ERT-open.

---Kryeministri Antonis Samaras ka mbajtur një fjalim në Qendrën e Konferencave «Ι.Vellídis» në qytetin e Selanikut. 

---Gjithashtu në të njëjtën orë është organizuar dhe mitingu qëndror parazgjedhor i ANTARSYA MARS në Selanik në kinemanë «Aléksandros».    

----«Tetë projektligje për çështjet sociale dhe të punës ka përgatitur dhe do të paraqesë menjëherë në Parlamentin e ri qeveria e SYRIZA», theksoi në intervistën e tij për programin e parë të ERTopen, deputeti dhe kandidati për deputet i SYRIZA, Dimítris Stratoúlis. 

---Një letër të hapur për Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare Níko Déndia dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë lejtnant, Manolá ka dërguar Rrjeti i Ushtarëve të Lirë "Spartakos", për problemin që është krijuar me lejet elektorale të ushtarëve, duke denoncuar "metoda jodemokratike". 

---Shpërblime përpara zgjedhjeve përpiqet të japë qeveria për pronarët e kanaleve private televizive, duke transferuar për në vitin 2016, pagesën e taksave të tyre ndaj shtetit për reklamat televizive, të cilat duhet të paguhen çdo muaj, duke filluar nga muaji shkurt i vitit 2015.

---Kthehen duke filluar të mërkurën, me vendim të Ministrit të Rendit Publik, Vasíli Kikília, diploma si dhe targa, por dhe leja e qarkullimit të automjeteve (makina dhe motoçikleta), për të lehtësuar votuesit që do të shkojnë me mjetet e tyre të transportit në vendet ku ata do të ushtrojnë të drejtën e votimit.

---Success story i koalicionit Samara - Venizelos regjistrohet në të dhënat që ka publikuar Institucioni i Sigurimeve Shoqërore IKA! 14 muajt nga nëntori i vitit 2013 e deri në dhjetor të vitit 2014 janë lëshuar 12.979 vendime konfiskimi, janë bërë 859 konfiskime të pasurive të patundshme, u bënë 7.804 konfiskime të pasurive të tundshme, u bënë 1.161 ankande dhe janë regjistruar 306 falimentime.

Shqipëri
---Katër vite nga demonstrata e 21 janarit 2011, Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot homazhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në vendet ku u vranë 4 viktimat e 21 janarit.

Rama i zhvilloi homazhet së bashku me familjarët e viktimave të 21 janarit, pas takimit që zhvilloi në Kryeministri me këta të fundit. Kryeministri Rama dhe familjarët vendosën lule dhe mbajtën një minutë heshtje në vendet ku u vranë 4 protestuesit e 21 janarit. Më pas, nëpërmjet një potimi në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri Rama shkroi se, për 21 janarin është koha për të lëvizur me një alternativë të re kërkimi të drejtësisë.
Kryeministri thekson se asgjë veç drejtësisë nuk e mbyll 21 janarin.

Katër vjet më parë, pas një proteste të opozitës së atëhershme, u vranë para kryeministrisë 4 persona, Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj./m.m/

---Rregullorja e ndryshuar e Bankës së Shqipërisë për trajtimin e kredive të humbura, që ka hyrë në fuqi në fillim të këtij viti, pritet të ndikojë në uljen e shkallës së kredive me probleme në sistemin bankar.

Ndërhyrjet në rregullore synojnë heqjen e pengesave për fshirjen nga bilancet e bankave të kredive të humbura dhe pa shpresë kthimi. Fshirja e tyre do të ulte shkallën e kredive me probleme të bankave dhe do të çlironte kreditimin e ekonomisë. Në fund të nëntorit 2014, vlera e kredive të humbura ishte rreth 70 miliardë lekë ose 500 milionë euro.

---Gjatë vitit 2014 të ardhurat nga tatimet dhe doganat llogariten në masën 253.534 milionë lekë nga 260.517 milionë lekë që planifikonte qeveria në buxhetin e rishikuar në muajin shtator. 

Sipas treguesve fiskal paraprak të buxhetit këto të ardhura u realizuan në masën 97 % të planifikimit. Por të ardhurat e realizuara gjatë 2014-ës edhe pse 6.983 milionë lekë më të ulëta se plani, rezultojnë të jenë 27.976 milionë lekë më të larta se të ardhurat e mbledhura nga tatimet dhe doganat në 2013-ën. Në vitin 2013, sipas statistikave zyrtare të ministrisë së Financave, u mblodhën 225.558 milionë lekë.

Të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë të ardhura që vilen nga të gjitha llojet e taksave dhe tatimeve që zbatohen nga qeveria qëndrore. Në to përfshihen 6 kategori kryesore: Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Tatimi mbi Fitimin, Akciza, Tatimi mbi të Ardhurat Personale, Taksat Doganore dhe Taksat Nacionale e të tjera. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat përbëjnë zërin kryesor në sigurimin e të ardhurave në Buxhetin e Shtetit. Ndër vite vihet re një performancë gjithmonë e më e lartë e këtyre të ardhurave, gjë që përgjithësisht reflekton përmirësimin e menaxhimit të financave publike, të sistemit të mbledhjes së të ardhurave dhe klimës së biznesit./a.gjonaj//m.m/

---Vjen në shqip, përkthyer nga Virgjil Muçi, libri i Ugo Ojetti “Shqipëria – Udhëtim në Shqipërinë e vitit 1902”.

Botuar në vitin 1902, libri i tij me përshtypje nga udhëtimi nga Shqipëria (ende pjesë e Perandorisë Osmane), na jep një tablo të gjallë e mjaft interesante të Shqipërisë së kohës, ç’ka e bën atë një ndër veprat më të rëndësishme të literaturës italiane kushtuar Shqipërisë.
Gjatë gjysmës së parë të shekullit që shkoi, Ugo Ojetti , ishte një personalitet mjaft i njohur i kulturës italiane. I lindur në Romë në vitin 1871 dhe vdekur në Firence në vitin 1946, Ojetti ishte, shkrimtar, gazetar, botues i një sërë revistash, kritik arti i njohur, si dhe autor i mjaft veprave. Nga viti 1898 deri sa vdiq, Ojetti punoi për gazetën më të madhe italiane Corriere della sera, ku  qe përgjegjës për faqet e saj kulturore, ndërsa në vitet 1926-27 u bë dhe drejtor i saj.

Në vitin 1930 Ugo Ojetti bëhet gjithashtu anëtar i Akademisë Italiane./a.gegvataj/

Bota
---Kuba dhe SHBA filluan sot bisedime historike për përgatitjen e afrimit mes dy vendeve dhe kthimin e faqes së antagonizmit më shumë se 50-vjeçar.

Njoftimi i normalizimit të marrëdhënieve nga presidenti amerikan, Barack Obama dhe ai kuban, Raul Castro, më 17 dhjetor, hapi rrugën për diskutimet e sotme, ku faza e parë i është kushtuar dosjes së emigrantëve.
Zëvendëssekretarja e Shtetit, Roberta Jacobson, zyrtarja e parë e lartë amerikane që shkel tokën kubaneze pas 35 vitesh, mbërriti sot në Havanë për të marrë pjesë në dialogun historik mes dy vendeve, njoftuan burime zyrtare amerikane.

Krahu i djathtë i sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry për Amerikën Latine, Jacobson do të drejtojë delegacionin amerikan për bisedimet për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, pas më shumë se 50 vitesh ndërprerjeje.

---Një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se afro 1.000 raste të reja me Ebola janë regjistruar në tri javët e fundit në Afrikën Perëndimore.

Ismael Ould Cheikh Ahmed, shef i Misionit të OKB-së për Reagim të Shpejtë ndaj Ebolës, ka thënë se virusi vazhdon të jetë kërcënim global.
Megjithatë, ai ka thënë se parashikimet e tmerrshme për 10.000 raste të reja në javë, nisur nga dhjetori i kaluar, nuk janë bërë kurrë fakte, për shkak të ndihmave mjëksore, logjistike dhe financiare nga e gjithë bota.
Ahmed i ka bërë këto komente para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Sipas shifrave të OKB-së, mbi 8.000 persona kanë humbur jetën nga shpërthimi i fundit i Ebolës.

---Forumi Botëror Ekonomik, i cili tubon biznese dhe udhëheqës të politikës, nisi sot punimet në Davos të Zvicrës.

Të martën, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar një parashikim të zymtë për rritjen ekonomike globale gjatë dy vjetëve të ardhshëm.
FMN-ja ka parashikuar rritje për 3.5 për qind në vitin 2015 dhe 3.7 për qind më 2016, duke ulur parashikimet e mëparshme për 0.3 për qind në të dyja vitet.
Edhe Organizata Ndërkombëtare për Punë ka paralajmëruar se rritja e ngadalshme ekonomike mund të bëjë që papunësia të rritet nga 201 milionë njerëz sa është aktualisht, në 212 milionë më 2019. 

Moti
---Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të enjten 22 janar mot të butë, por në mbrëmje dhe nga rajonet perëndimore pritet përkeqësim i motit me shira dhe stuhi sporadike. Era do të fryjë mesatare në drejtimin jugor nga 4 deri në 6 ballë.
Dukshmëria në mëngjes do të jetë e kufizuar dhe kushtet meteorologjike favorizojnë transferimin e pluhurit. 
Në Attikë temperatura do të arrijë në 19 gradë Celsius, ndërsa në Selanik deri në 14 gradë celsius.

---Rikujtojmë se në Attikë, në lagjet e pjesës jugore të saj nga dita e premte dhe në pjesën tjetër të Athinës nga dita e shtunë transmetohet programi i vetë-menaxhuar i ERT-3, që tashmë mund të shikohet dhe me sinjal dixhital në frekuencat 34 dhe 58 në Attikë. ERT-3 aktualisht mbulon 68% të vendit. Sinjali i saj transmetohet dhe në Réthymno, Haniá, Pátra, Thessalía dhe Lamía. Transmetimi satelitor transmetohet nëpërmjet Intelsat 19.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale të ERA në të gjithë Greqinë, në valët e shkurtra në të gjithë botën, por dhe në valët FM 91,8 në Athinë. 
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían, që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54