Lajmet në gjuhën shqipe 07/12/2014

---Përfundon sonte në Seancën e Parlamentit me votimin me emër pas
mesnatës, debati mbi draftin e Buxhetit të ri të vitit 2015.

---Angazhimin se në qoftë se vihen re devijime në madhësitë bazë
ekonomike, do të paraqitet në Parlament një buxhet suplementar me masa
që kanë rënë dakord, brenda gjashtë mujorit të parë të vitit 2015,
përmban sipas gazetës Víma e së dielës, e-mail që i ka dërguar Trojkës
të premten në mbrëmje, Ministri i Financave, Gjikas Hardoúvelis. Që do
të thotë se buxheti që diksutohet për tre ditë dhe votohet sonte në
mesnatë është thjesht një veprim i padobishëm tipik, që turpëron edhe
një herë Parlamentin.

---Kundër këtij buxheti të memorandumit të ri kanë filluar tubimet e
sindikatave të punonjësve të Greqisë, GSEE dhe ADEDY me pjesëmarrjen
si gjithmonë dhe të POSPERT-ertopen. Në orën 18:00 janë mbledhur dhe
pjestarë të sindikatave të tjera, të shoqatave të ndryshme, META dhe
SYRIZA.
«Kundrejt politikave që çojnë në një depresion të ri të madh të
ekonomisë së vendit dhe «kullon gjaku» i punëtorëve, i të papunëve dhe
pensionistëve jemi të revoltuar dhe të vendosur. Të vendosur për të
luftuar me të gjithë fuqinë tonë për përmbysjen e tyre», thotë SYRIZA.
Në orën 17:30 në Omonia janë mbledhur sindikalistët e KKE-së dhe PAME.

---Një plan shumë i çuditshëm i forcave shtypëse të rendit është
shpalosur dhe ka zgjatur deri natën vonë, me sulme ku janë përdorur
mjete të çuditshme, 298 arrestime në grumbull, turma të forcave të
sigurimit, sulm në Qendrën e Punës së Selanikut, dhunë në bashkinë e
Mytilínit, ndërsa kimikate janë përdorur madje edhe në qytete të
tjera, që kurrë më parë nuk kanë hasur banorët e tyre.
Pyetje shkaktojnë gjithashtu kapja e gazetarëve dhe fotoreporterëve në
kohën që transmetonin ngjarjet. Madje dhe në mediat sistemike janë
publikuar video ku tregojnë njerëz të policisë që "rëndojnë" me fakte
inkriminuese protestuesit, në mënyrë që të akuzohen për krime të
rënda. Gjithashtu, anasjellje të plotë të realitetit kemi pasur në
rastin e dyqanit Zara në Selanik, ku protestuesit anti-autoritarë që
ndihmuan për shuarjen e zjarrit janë paraqitur nga MEGA si punonjësit
e dyqanit.

---Giórgos Romanós, i ati i grevistit të urisë, Níko Romanó sqaroi se
në takimin që do të ketë të hënën me kryeministrin Antonis Samaras, do
të kërkojë nga ai siç tha «të njohë të drejtën për të studiuar fëmija
im, Niko nuk kthehet më prapa». Vetë, Níkos Romanós me një deklaratë
të tij sqaron se nuk dëshiron të bëhet ky takim, pasi beson se
«Samaras ka njohuri të plotë të fakteve dhe nuk ka nevojë për ndonjë
takim zjarrshues që të informohet për diçka që njeh dhe e aprovon».

--- «Ju nuk keni të drejtë për të sakrifikuar Níko Romanón. Keni
mundësinë dhe detyrimin që t'i jepni lejen për të studiuar dhe të
shpëtoni jetën e tij. Nëse e bëni, ndoshta shpëtoni dhe shpirtin
tuaj», theksoi deputetja e SYRIZA, Zoí Konstantopoúlou, gjatë debatit
në Seancën e Parlamentit për Buxhetin e vitit 2015.

---Grevë urie së bashku me refugjatët sirianë njoftoi dje se fillon
deputeti i Irakleíos i SYRIZA, Giánnis Michelogiannákis.

---Në refuzimin e mbylljes në mesditë si një lëvizje minimale e
solidaritetit për Níko Romanón kanë përparuar nga dje të burgosurit në
të gjitha qelitë e burgut Koridallos, duke kërkuar që të përmbushet
kërkesa e tij.

---Në përparimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Greqisë dhe
Turqisë angazhohen me një deklaratë të përbashkët qeveritë e të dy
vendeve pas Këshillit të 3-të të Lartë të Bashkëpunimit, që është
mbajtur në Athinë. Në deklaratën e përbashkët theksohet roli kyç i
respektimit reciprok për të drejtën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet e
fqinjësisë së mirë.

---Shkrimtari grek, Menis Koumandareas, 83 vjeç, një prej autorëve më
të njohur në vend, u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Athinë,
theksoi policia.
«Hipoteza e një vetëvrasjeje është një nga pistat e ngritura nga
shërbimet e sigurisë që hapën një hetim. Viktima kishte plagë në qafë
dhe në fytyrë», sipas të njëjtit burim.
Autor i 20 romaneve, novelave dhe eseve që prej viteve 60, vepra e
Menis Kumandareas është vlerësuar dy herë me çmimin shtetëror për
romanin dhe përkthimin në disa gjuhë.
Përkthyes i Hemingwayt dhe Scott Fitzgerald, Menis Kumandareas u bë i
njohur me veprat “Gruaja e Metrosë”, “Zonja Koula” apo “Kristalierja”,
me një stil të thjeshtë, një portret i shoqërisë greke pas luftës.

Lajmet nga Bota

Shqipëri
---Bunk’Art pas tri javësh që eshtë çelur vazhdon te zgjojë kureshtjen
e vizitorëve ndaj këtij objekti të diktaturës. Moti me rreshje shiu
nuk i ka penguar qytetarët t’i kushtojnë vëmendje Bunk’Arti-it duke e
vizituar  për të parë nga afër një pjesë të historisë së regjimit
komunist.
Të rinj, të moshuar kanë preferuar të shuajnë kureshtjen e tyre në
bunkerin gjigand 5-katësh me 106 dhoma dhe me një sallë të madhe.
Bunk’Art i çelur vizitohet nga një numër i madh njerëzish  përfshirë
dhe turistë të huaj.
Por ka edhe vizitorë qe  kanë shkuar nga dy apo tri herë duke
shfrytëzuar linjën e autobusëve falas që janë vënë në dispozicion.
Oraret e nisjes së autobusëve janë nga e hëna në të shtunë, ku nisjet
ndjekin oraret 09:00, 11:00, 13:00. Ndërsa të dielën nisen në orën
11:00 e 13:00, duke qëndruar i hapur deri në orën 16:00.

---Përleshje midis demonstruesve dhe policisë dhe grabitje dyqanesh
janë shënuar në protestat e djeshme për sjelljen vrasëse të policisë
kundër qytetarëve afrikano-amerikanë në Berkeley të Californias.

---Qeveria franceze shprehu sot vullnetin e saj që të shndërrojë
luftën kundër racizimit dhe antisemitizmit në një çështje kombëtare,
disa ditë pas sulmit në Paris të një çifti për shkak të origjinës së
tyre hebre, që ngjalli indinjatë në vend.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bernard Cazeneuve, theksoi ndjenjën e
shqetësimit që përshkon komunitetin hebre të Francës, më i madhi në
Evropë, përballë një patologjie të vërtetë sociale, në rritje të
njeshme në vend.
Ministri shprehej para disa qindra personave të mbledhur në Kreteil,
në periferi të Parisit, për të kritikuar sulmin e gjashtë ditëve më
parë në këtë qytet ndaj një çifti hebre, ku vajza e re u dhunua dhe
apartamenti u shkatërrua.
Sipas hetuesve, “tre agresorët niseshin memendimin se të qenurit hebre
do të thotë se je i pasur”. Ata dyshohet se kanë rrahur me grushta në
fillim të nëntorit, një 70 vjeçar të besimit hebre në të njëjtin
qytet.
Veprimi i tyre shkaktoi një emocion të fortë ne vend dhe komuniteti
hebre, duke i kërkuar presidentit François Hollande që të dalë para
popullit dhe të dënojë të enjten këtë të keqe që po përshkon shoqërinë
franceze.

Moti

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të hënën 8 dhjetor
vransira me shira dhe stuhi në rajonet lindore dhe jugore dhe më vonë
edhe në rajonet veriore me vransira më të shumta në Epir dhe në
Maqedoninë Perëndimore. Fenomenet në rajonet lindore, qendrore, në
Peloponezin Lindor, Evia, Cyclades, Kretë dhe më vonë në Maqedoninë
Qendrore, Thrakë dhe ishujt e Egjeut Lindor dhe Verior do të jenë më
të forta.
Në Atikë, temperatura do të variojë nga 10-14 gradë Celsius dhe në
Selanik nga 9-15 gradë Celsius.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në
gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën
ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale
të ERA në të gjithë Greqinë - dhe në valët e shkurtra në të gjithë
botën.
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio
e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës
e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54