Lajmet në gjuhën shqipe 04/12/2014

---Në gjykatat e Evelpídon do të vijnë përsëri nesër protestuesit e
keqtrajtuar nga policia, që u arrestuan pas marshimit të solidaritetit
për Níko Romanó dhe janë akuzuar me krime. Deri nesër në mëngjes do të
mbeten të arrestuar në selinë e policisë, ndërsa nga ana e avokatëve
bëhet drejtpërdrejt fjalë për një intrigë që përpiqet të eliminojë
arbitraritetin e policisë.

---Në pushtimin e ndërtesës së Konfederatës së Përgjithshme e
Punëtorëve të Greqisë (GSEE) kanë përparuar protestues në solidaritet
me luftën e Níko Romanó. Në fushën e luftës shumohen veprimet e
ndryshme të solidaritetit për të gjithë grevistët e urisë. Nga sot, dy
të burgosura në burgun e Lasithit nuk kanë ardhur për të ngrënë,
ndërsa nga nesër hyjnë në grevë urie dy të burgosur të tjerë. Nuk
është e mundur më që të regjistrohen të gjitha komunikimet dhe
rezolutat e mbështetjes që lëshohen çdo ditë, dhe më shumë se tetë
janë deri tani veprimet e pushtimit të universiteteve, bashkive dhe
vendeve të tjera publike, që përdoren si qendra të luftës në të gjithë
vendin. Të martën parashtrohet në Parlament amendamenti për ndjekjen
me korespodencë të studimeve nga të burgosurit, ndërsa e fuqishme
është përgjigja që merr Charálampos Athanasíou nga familja e Níko
Romanó dhe profesorët e TEI Athinës për këtë çështje.
Në sferën gjyqësore kërkesë apelimi të dekretit gjyqësor ka paraqitur
sot në Prokurorinë e Gjykatës së Lartë, avokati i Níko Romanó,
Frankískos Ragoúsis. Ndërkohë akuza për ndërhyrje në punën e mjekëve
nga ana e drejtorit të spitalit Gennimatás zbulohen me një njoftim nga
Bashkëpunimi Radikal i Majtë i Mjekëve. Tubime bëhen në shumë qytete
të vendit dhe nesër do të zhvillohen dhe në Barcelonë.

---Në ndalimin e tubimeve në qendër të Athinës vazhdoi dhe përsëri
Drejtori i  Përgjithshëm i Policisë së Athinës për periudhën nga të
premten në mëngjes e deri në mesditën e ditës së shtunë, me rastin e
vizitës së Ahmet Davutoğlu. Fakti se ndalimi përkon me kthesën
dramatike të grevës së urisë që bën Níko Romanó dhe shokët e tij, por
edhe me përvjetorin e vrasjes së Aléksi Grigorópoulo, nuk përmendet në
komunikatën përkatëse, pavarësisht nga fakti se 7.000 policë janë
mobilizuar për të  zbatuar planin e operacionit të represionit.

---Dhe një tjetër "jo", tha për zgjedhjet, kryeministri Antonis
Samaras të enjten në Parlament, në momentin që aktivizimi i
parakohshëm i zgjedhjes së Presidentit të Republikës duket se është
skenari që përpunon Pallati Maksimu. Në axhendë mbetet modifikimi i
Kushtetutës.
Zgjedhje në muajin mars sheh sekretari i Partisë Komuniste Greke,
Dimítris Koutsoúmpas, që përjashtoi edhe një herë bashkëpunimin e
mundshëm qeveritar me SYRIZA.
Vjen momenti që Trojka dhe qeveritë që kanë imponuar masa të ashpra,
do të përgjigjen për krimet e tyre, tha kryetari i SYRIZA, Aleksis
Tsipras, pas takimit të tij me udhëheqjen e Organizatës Ndërkombëtare
të Punës në Gjenevë, ndërsa në një tjetër deklaratë në lidhje me Níko
Romanó ka mesazhuar për ministrat përgjegjës se në një shtet të së
drejtës, rrezikimi i jetës së njeriut nuk mund të vihet në kandarin e
peshimit me çdo lloj qëndrimesh politike ..

---Në mesnatën e së dielës do të përfundojë me votimin me emër, debati
për projekt-buxhetin e vitit 2015, ndërsa jashtë Parlamentit do të
zhvillohet një tubim të dielën pasdite siç kanë njoftuar GSEE dhe
ADEDY.

---Ka penguar ndërprerjen e energjisë elektrike sot në ERA - Volos,
tubimi i solidaritetit dhe më në fund është rivendosur energjia
elektrike në transmetuesin e valëve të mesme në ERA - Chania dhe
transmetuesi pritet të hapet përsëri së shpejti. Radio ERA - Chania në
FM nuk heshti kurrë.

---Probleme serioze janë shënuar në Évro për shkak të shiut të madh të
24 orëve të fundit, ndërsa shërbimet kompetente janë në gatishmëri për
shkak të rritjes së papritur të nivelit të lumit Évro në lartësinë e
Ormenios. Vazhdojnë hetimet për të identifikuar policin 49-vjeçar, i
cili ishte me varkë e tij në grykën e lumit Évro. Janë përmbytur
shtëpi në disa fshatra dhe ka probleme në rrjetin krahinor rrugor të
Didymoteíchos dhe Orestiádas.

---Ushtrimin e dënimit penal kundër dhjetë ish-drejtuesve të Bankës së
Qipros, sugjerojnë hetuesit e çështjes për kolapsin në vitin 2013 e
ekonomisë së Qipros. Prokurori i përgjithshëm, z.Kóstas Klirídis dhe
asistenti i tij z. Ríkos Erotokrítou dhe hetuesit e çështjes do të
vendosin për manipulimin e çmimeve të aksioneve, për  mjaftueshmërinë
e kapitalit. Gjithashtu do të shqyrtojnë dhe blerjen e Bankës Laiki të
Qipros që është bërë në vitin 2005 e deri në rënien e saj.

---Një personalitet i shkëlqyer i shtypit grek, një figurë emblematike
e së majtës, poeti dhe gazetari Sofianós Chrysostomídis u largua sot
nga jeta në moshën 92 vjeç. Varrimi do të mbahet të shtunën në orën
11:00, në Varrezat e Parë të Athinës.

Lajmet nga Bota

---Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e sotme plenare disa
projektligje me rëndësi në fushën sociale dhe ekonomike. Me 75 vota
deputetët e maxhorancës miratuan pr/ligjin “Për sigurinë dhe shëndetin
në punë”, pr/ligjin “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis” dhe
me 77 vota pr/ligjin “Për Urdhrin e Punonjësve Socialë”.
Me 79 vota u miratuan dhe ratifikimi i dy marrëveshjeve të ndryshuara,
ajo mes palës shqiptare dhe Bankës Islamike për Zhvillim (IDB) për
pjesëmarrjen në financimin e projektit të rindërtimit të rrugëve
dytësore dhe lokale, si për projektin e rrugës Tiranë-Elbasan.
Gjithashtu, parlamenti miratoi sot dhe vendimin për strukturën,
organikën dhe kategorizimin e pozicioneve të punës së komisionerit për
mbikëqyrjen e shërbimit civil, si dhe vendimin për përbërjen e
komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi. Sipas
këtij vendimi, pesë anëtarët me të cilët maxhoranca do të përfaqësohet
në komision janë: Fatmir Xhafaj (kryetar), Armando Subashi, Pandeli
Majko, Vasilika Hysi, Ulsi Manja dhe Spartak Braho, anëtarë. Ndërkohë,
që opozita nuk ka sjellë emrat e saj, me të cilët do të përfaqësohet
në këtë komision.

---Presidenca ukrainase dhe separatistët njoftuan sot ndërprejren e
plotë të luftimeve në lindjen rebele duke filluar nga 9 dhjetori, një
përpjekje e re për t’i dhënë fund luftimeve të përgjakshme në këtë
zonë.

“Dita e qetësisë do të fillojë më 9 dhjetor”, njoftoi presidenca në
një komunikatë pas një mbledhje të presidentit Petro Poroshenko me
krerët e ushtrisë dhe të forcave të rendit.
“Nëse kjo respektohet, tërheqja e armëve të rënda do të fillojë më 10
dhjetor”, theksoi një burim presidencial, sipas të cilit bëhet fjalë
për procedurat e parashikuara nga marrëveshjet e paqes të nënshkruara
në shtator në Minsk.
Autoritetet e dy republikave të vetëshpallura konfirmuan informacionet
mbi ndërprerjen e luftimeve për agjencinë ruse “RIA Novosti”.
“Grupi i përbërë nga ushtarakë ukraians dhe nga përfaqësues tanët ranë
dakort me ndërmjetësimin e OSBE-së dhe të palës ruse për ndërprerjen e
luftimeve të 9 dhjetorit”, njoftoi presidenti i parlamentit të
republikës së vetëshpallur të Donetskut, Andrei Pourguine, i cituar
nga “RIA Novosti”.

---Bashkimi Evropian hapi dyert ndaj kultivimit të organizamve të
modifikuara gjenetikisht (OMGJ), por asnjë autorizim nuk do të jepet
para vitit 2015 dhe shtetet mund të ndalojnë mbjelljen në të gjithë
apo një pjesë të territorit të tyre, njoftoi Komisioni Evropian.
Një marrëveshje fillestare u arrit mes presidencës italiane së BE-së
dhe Parlamentit mbi rregullat për autorizimin e mbjelljes së OMGJ-ve.
Por ende mbetet të miratohet nga shtetet anëtare dhe nga një votë në
Parlamentin Evropian në seancë plenare.
Nëse asgjë nuk e pengon procesin, marrëveshja e arritur në parim sot
pritet të miratohet nga Komisioni Evropian më 15 dhjetor, më pas nga
këshilli i ministrave të Mjedisit të BE-së më 17 dhjetor para se t’i
nënshtrohet votimit në Parlamentin Evropian gjatë seancës plenare të
në janar 2015. Më pas shtetet do të kenë një muaj kohë për ta miratuar
formalisht.

Moti

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të premten shira dhe
stuhi të forta, kryesisht pas mesditës, në Greqinë Perëndimore,
Qendrore dhe Veriore dhe në mbrëmje në Egjeun verior dhe
veriperëndimor. Në pjesën tjetër të vendit, priten re kalimtare dhe ka
mundësi shira të pakta me karakter lokal. Dukshmëria do të jetë e
lokalizuar, ndërkohë që kushtet atmosferike janë të favorshme për të
transportuar pluhurin nga Afrika, kryesisht në Greqinë perëndimore dhe
jugore.Temperatura në vend do të variojë nga 6-20 gradë Celsius.
Vransira të pakta që gradualisht do të rriten dhe ka mundësi të bjerë
shi në mbrëmje dhe dukshmëri të lokalizuar presim nesër në Athinë me
një temperaturë maksimale në 19 gradë Celsius.
Vransira me shira lokale kryesisht në perëndim, dhe përkeqësim të
motit nga pasdite me shira të forta në nivel lokal presim nesër në
Selanik, ndërsa temperatura maksimale do të jetë 15 gradë Celsius. Në
Thermaiko, era do të fryjë mesatare në drejtimin lindor.

Çdo të hënë në orën 19:00 mund të dëgjoni buletinin e lajmeve në
gjuhën shqipe, që transmetohet nga Rrjeti i ERA në internet në adresën
ertopen.com, në valët FM dhe të Mesme - nëpërmjet stacioneve rajonale
të ERA në të gjithë Greqinë - dhe në valët e shkurtra në të gjithë
botën.
Gjithashtu, programi ynë transmetohet 24 orë nga stacioni i radios së
shoqatës së Punonjësve të Aluminit në valët FM 97,3 me seli Voiotían,
që mbulon Fokída, Fthiótida, Peloponnezi Verior dhe Évia dhe nga radio
e punonjësve të Chalkídas në valët FM 96,5 nga ora 13:00 pas mesditës
e deri në orën 19:00 në mbrëmje.
Τελευταία τροποποίηση στις Παρασκευή, 14/06/2013 - 23:54