Lajmet në gjuhën shqipe - 21/07/2014

Këshilli i Sigurisë së OKB-së bën thirrje për armëpushim
Këshilli i Sigurisë në OKB ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza, pas zhvillimit të një takimi emergjence me dyer të mbyllura në lidhje me krizën në Lindjen e Mesme. 
Duke folur në Katar, z.Ban po ashtu ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të luftimeve që kanë marrë mbi 400 jetë njerëzish.
Mbi 60 palestinezë dhe 13 ushtarë izraelitë janë vrarë më 20 korrik, ditën më të përgjakshme në ofensivën 13-ditëshe. Bisedimet erdhën pasi shefi i OKB-së e përshkroi bombardimin izraelit në një prej periferive të qytetit të Gaza-s si “një veprim mizor”.
Rreth 501 persona kanë vdekur deri më tani në Gaza, që pas nisjes së operacionit të Izraelit kundër militantëve të Hamas, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gaza-s, ndërsa rreth 3.135 kanë mbetur të plagosur.
Sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën 72 palestinezë të dielën në lagjen ”Shejaija” në lindje të Rripit të Gazës, njoftoi gazeta izraelite ”Haaretz”, duke cituar Ministrinë palestineze të Shëndetësisë. Ushtria izraelite mohoi se njëri nga ushtarët ka qënë i rrëmbyer nga Hamasi. Ushtarët izraelitë deklaruan se kanë vrarë 10 terroristë nga dy grype militantësh të Gazës të cilët u përpoqën të depërtonin në jug të Izraelit nëpërmjet një tuneli. ”Depërtimi i tentuar ka ndodhur nëpërmjet një tuneli në zonën veriore të Gazës në drejtim të Izraelit”, është shprehur një zëdhënës ushtarak. Patrullimet po vazhdojnë në të gjitha zonat dhe ushtria ka urdhëruar kolonët e Nir Amit dhe Perezit që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, pritet të udhëtojë drejt Egjiptit për të diskutuar mbi krizën. Ai do të takohet me liderët politik në Kajro, të hënën, teksa përpjekjet për të ndërmjetësuar një armëpushim vazhdojnë.
Të dielën, Gaza përjetoi ditën më vdekjeprurëse që prej nisjes së ofensivës, më 8 Korrik, teksa u shënuan 13 ushtarë izraelitë të vrarë dhe më shumë se sa 100 palestinezë.
20 palestinezë janë vrarë në sulmet e ndërmarra deri tani gjatë kësaj të hëne, bën të ditur Ministria e Shëndetësisë në Gaza, 16 prej të cilëve në pjesën jugore të vendit.
Seanca e së dielës në mesnatë në Këshillin e Sigurisë, në OKB, u mblodh me kërkesë të Jordanisë, që besohet të ketë propozuar një draft-rezolutë me fjalë të ashpra, për t’u marrë në konsideratë.
Ndërkohë, Autoriteti Palestinez i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar për të reaguar menjëherë në vrasjen brutale të pafajshmëve.

Tubim proteste për Gazën më 22 korrik
Në një tubim proteste për Gazën dhe marshim në zyrat e BE-së ftojnë shumë organizata për të martën 22 korrik në orën 19:00 pasdite në Sindagma që ti jepet fund menjëherë rrethimit të Gazës.
Ndërkohë, thirrje për ndihmë drejtojnë Mjekët në Gaza. Në Greqi, ilaçe për spitalet e Palestinës mbledhin Klinika Sociale Metropolitane në zonën Elliniko dhe organizata Fair Planet, me të cilët mund të kontaktoni në telefonin me numër 210 9631950.

Manolis Glezos ka arritur mbështetjen e të majtës evropiane për borxhet e Gjermanisë
Mbështetje nga e majta evropiane për pretendimin e borxheve të Gjermanisë ka arritur evrodeputeti i SYRIZA, Manolis Glezos. Grupi politik i së majtës europiane, në të cilin bën pjesë ai vetë do të ngrejë çështjen në Bruksel apo Strasburg pas verës.

Nikos Maziotis në burg pas hetimit të tij 
Është burgosur pas hetimit të tij nga hetuesi, Nikos Maziotis. Siç tha avokati i tij, Nikos Maziotis thjesht është kufizuar në një deklaratë politike dhe nuk është përgjigjur në asnjë pyetje, dhe theksoi se do të rregullohet çështja e komunikimeve të tij telefonike dhe dalja në oborrin e burgut. Sipas informacioneve, Nikos Maziotis thuhet se ka deklaruar që "Anëtarët e organizatës Lufta Revolucionare nuk kërkojnë falje. Ata luftojnë për përmbysjen e sistemit të shfrytëzimit dhe të tjerë duhet të jenë të akuzuar në vendin tim. Bëhet një gjenocid social që është i veçantë në historinë e vendit".
Ka vdekur anëtari i KKE-së, Babis Golemas
Është varrosur në varrezat e zonës së Iliupolit, anëtari historik dhe një luftëtar i denjë i Partisë Komuniste Greke, Babis Golemas.  

Marshim të martën drejt ministrisë së Reformës Administrative
Një marshim nga ndërtesa e ERT-it në Agia Parashkevi drejt Ministrisë së Reformës Administrative organizojnë për nesër në orën 08:30 në mëngjes rojet e shkollave, mësuesit, pastrueset e ministrisë së Financave.
Punonjësit e ERT-it do të marshojnë me ta dhe ftojnë punëtorët dhe të papunët për të marshuar së bashku nesër, ditën që mbyllet një vit nga fillimi i disponueshmërisë. Marshimi do të përfundojë në Ministrinë e Reformës Administrative, ku bëjnë thirrje për një tubim atje në orën dymbëdhjetë, sindikatat si OLME, POE OTA dhe ADEDY.

Lajme nga Bota

Qeveria e Ukrainës akuzon rebelët pro-rusë për shkatërrimin e dëshmive 
Qeveria e Ukrainës ka thënë se rebelët pro-rusë, "me ndihmën e Rusisë" janë duke bërë përpjekje që të shkatërrojnë dëshmitë në zonën ku është rrëzuar aeroplani i "Malaysian Airlines", derisa fluturonte mbi territorin e kontrolluar nga rebelët pro-rusë.
Një komunikatë e Qeverisë së Ukrainës e publikuar të shtunën zyrtarisht thotë se terroristët, me ndihmën e Rusisë, janë duke bërë përpjekje që të shkatërrojnë dëshmi të një krimi ndërkombëtar. Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko u kërkoi forcave ushtarake të ndërpresin operacionet në zonën e rrëzimit të avionit MH17, njoftoi agjencia ukrainase e lajmeve ”Interfax-Ukraine”.
Ndërkohë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se vendi i tij është duke bërë gjithçka të mundur për t'iu lejuar ekspertëve ndërkombëtarë që të hetojnë vendin, ku është rrëzuar aeroplani i Malajzisë, në lindje të Ukrainës. Ai ka fajësuar autoritetet ukrainase për fundin e armëpushimit të njëanshëm kundër rebelëve prorusë në lindje. Ai po ashtu ka thënë se askush nuk ka të drejtë që ta përdorë këtë tragjedi për qëllime mercenare. 
Të 298 njerëzit në bordin e fluturimit MH17 kanë humbur jetën në tragjedinë e 17 korrikut. Fatkeqësia dyshohet të jetë shkaktuar nga një sulm me raketë i separatistëve prorusë.

Një stuhi e fuqishme goditi Kinën
Stuhia më e fuqishme që ka goditur Kinën në 40 vjet ka marrë 18 jetë njerëzish. Viktimat janë shënuar në ishullin Hainan dhe rajonin Guangxi.
Stuhia Rammasun ka zbarkur të premten në Kinë, pasi ka vrarë së paku 94 njerëz në Filipine. Tajfuni është duke prekur edhe Vietnamin, ndonëse me intensitet më të dobësuar. 

Moti
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik parashikon për të martën shira ose stuhi, kryesisht në mesditë dhe pasdite në rajonet perëndimore dhe veriore. Temperatura do të shënojë një rënie të vogël në rajonet perëndimore dhe veriore.
Në Attikë temperatura do të arrijë në 36ºC dhe në Selanik do të arrijë në 33ºC. 
Τελευταία τροποποίηση στις Δευτέρα, 21/07/2014 - 22:35